Rreshtat dhe kolonat

Më pëlqen që çdo ditë të kem një kohë të caktuar vetëm për veten, në të cilën mund të ndalem e të meditoj. Për këtë, do të sugjeroja ndonjë vend malor, prej të cilit natën mund të shohësh larg dritat e qytetit. Aty e sheh se i gjithë qyteti, me të gjitha ngjarjet që mbart në ndërgjegjen e vet dhe me të gjitha dramat që ta ngushtojnë zemrën, zhvillohet brenda një hapësire shumë të vogël. Nga larg, qyteti duket si një grusht betoni mes gjithë atyre fushave e maleve. Pastaj shiko lart. Gjithë ky univers! Normalisht që pak kuptohet ky realitet kur dita na kalon brenda katër mureve në ndërtesa të Prishtinës.

Sidoqoftë, ka disa ditë aq dinamike saqë nuk ke shumë kohë të meditosh. Gjatë verës, për mua të tilla janë ditët e KAMOs. Vërtet janë shumë të lodhshme. Komisioni, kontrollimi, vullnetarët, nxënësit, ushqimi, monitorimi, ajo dhe kjo… Këtë vit, pasi përfunduam me rezultatet përfundimtare, dikur vonë u ula mbi një bankë në qoshe të sallës. Salla ishte përplot me karrige dhe banka të vendosura në rreshta e kolona. I mbështetur për muri, po shikoja. Vullnetarët po punonin. Largonin bankat dhe i afronin karriget pranë skenës, duke formuar rreshta në formë gjysmëharku. Po sikur të mos lodheshim kaq shumë? Mjaftonte ta linim sallën ashtu siç ishte. Ndoshta deri në mëngjes do të rregullohej vetvetiu. Apo jo?

Natyrisht që jo. Një sallë nuk rregullohet vetvetiu. Duhet dikush të mendojë se si duhet të jetë, dikush të marrë bankat, dikush të lëvizë karriget dhe dikush t’i vendosë të gjitha në vendin e duhur. Dhe ndërsa po shikoja, më erdhi ndër mend diçka shumë më e madhe. O Zot! Si mund të shikojë njeriu këtë univers dhe të thotë se nuk ka Krijues? Si mund të jetë “rastësia” përgjigjja përfundimtare? Universi ekziston. Ka ligje, rend dhe struktura. Ka yje e galaktika, planete e jetë. Dhe në një cep të vogël të tij gjendet një krijesë që jo vetëm që ekziston, por edhe mendon për ekzistencën e vet. Ndien, dashuron, frikësohet, shpreson, mendon dhe pyet: “Pse jam këtu?” Dhe përgjigjja është: rastësi? Një pikë. Pastaj një shpërthim. Pastaj zgjerimi i universit. Pastaj galaktikat, yjet, planetet. Pastaj jeta. Pastaj vetëdija. Dhe të gjitha këto, në fund, duhet t’ia atribuojmë… rastësisë?

Por çfarë është “rastësia”? A është ajo një shpjegim, apo thjesht një fjalë që përdorim kur nuk kemi një shpjegim tjetër? Kur hyj në një sallë dhe shoh bankat të vendosura në rreshta, nuk them: “Sa bukur, bankat qenkan vendosur rastësisht kështu.” E di se dikush i ka vendosur. Nëse gjej një orë në mes të shkretëtirës, nuk them se rëra, era dhe rastësia kanë prodhuar një orë. Nëse shoh një shkrim të rregullt në një mur, nuk mendoj se shkronjat janë bashkuar vetvetiu dhe kanë formuar fjali. Por kur bëhet fjalë për universin, papritur “rastësia” bëhet një përgjigje e pranueshme për gjithçka. Kjo është ajo që më duket e çuditshme. Jo se shkenca përpiqet të kuptojë se si funksionon universi. Përkundrazi. Sa më shumë e studiojmë, aq më shumë shohim rregull, ligje dhe një harmoni të jashtëzakonshme.

Dhe pastaj vjen pyetja më e thjeshtë: Pse ekziston gjithë kjo? Kush e solli në ekzistencë? Pse ekzistojnë pikërisht këto ligje të fizikës? Pse universi nuk është një kaos i pakuptueshëm, por funksionon sipas rregullave kaq të qëndrueshme e të sakta? Dhe këtu, për mua, qëndron edhe më shumë çudia. Rastësia “mund” të ndodhë brenda një sistemi rregullash, por vetë rastësia nuk na shpjegon prejardhjen e rregullave. Në sallën e KAMOs, mund të lëvizësh një karrige rastësisht majtas apo djathtas, përpara apo prapa. Por që ajo karrige të jetë pjesë e një rregulli të caktuar — në rreshtin e duhur, në distancën e duhur, në vendin e duhur — duhet të ekzistojë më parë vetë rregulli dhe dikush që e zbaton atë.

Edhe më tej: mund të hedhësh një gur nga një lartësi dhe të mos e dish saktësisht trajektoren e tij në çdo çast. Por guri nuk bie “rastësisht”. Ai i bindet ligjit të gravitetit. Toka e tërheq sipas një ligji të qëndrueshëm, sot njësoj si dje dhe nesër, këtu njësoj si në anën tjetër të botës. Në bazë të këtij obzervimi, ne bëjmë konkluza për procese që ndodhin në Jupiter. Pra, po flasim për ligje konsistente mbi të cilat funksionojnë gjërat. Atëherë si mund të jetë “rastësia” shpjegimi përfundimtar për një univers që jo vetëm ekziston, por funksionon në mënyrë kaq të qëndrueshme sipas ligjeve të caktuara? Rastësia “mund” të shpjegojë një rezultat të paparashikueshëm brenda një sistemi. Por kush e vendosi vetë sistemin? Kush i dha universit këto rregulla? Kush e bëri që materia të sillet sipas tyre? Dhe si mund të jetë vetë ligji i rregullsisë produkt i asaj që supozohet të jetë pa rregull?

Mua kjo më duket shumë më e çmendur sesa të besoj se pas gjithë kësaj qëndron një Krijues i Urtë. Salla e KAMOs nuk u rregullua vetvetiu atë natë. Dhe universi nuk është më pak mahnitës vetëm sepse jemi mësuar të jetojmë brenda tij.


A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. (52:35-36)

A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë? (21:30)

A nuk e shihni se anijet lundrojnë nëpër det me dhuntinë e Allahut, për t’ju treguar disa nga mrekullitë e Veta? Këto janë vërtet tregues për çdo njeri të duruar dhe mirënjohës.  Kur ata i mbulon vala si pëlhurë, e thërrasin Allahun me devotshmëri të çiltër. Por sapo Ai i shpëton, duke i kthyer ata në tokë, një pjesë e tyre lëkunden (ndërmjet besimit dhe mosbesimit). Në të vërtetë, shpalljet dhe mrekullitë Tona i mohojnë vetëm mashtruesit dhe mosmirënjohësit. (31:31-32)


Posted

by

Tags: