Ortoqendra e meditimit

“Ortoqendra është pikëprerja e tre lartësive të trekëndëshit.” Nxënësit e thoshin këtë dhe qeshnin. Një inside joke gjeometrike të cilën nuk e kuptoja. Eh, po… ja erdhi edhe kjo ditë. Sidoqoftë, ma treguan kontekstin pas saj. Ishte kolegu im, ai i cili kishte arritur ta kthente një teoremë në një shaka disi të pakuptimtë mes nxënësve. Këtë fjali e kishte thënë në Olimpiadën Matematike të Kosovës, në sallën e testimit, si sqarim për pjesëmarrësit. Nxënësit më thanë se nuk kishte diçka shumë të veçantë rreth saj—ndoshta mënyra si e kishte thënë, ndoshta mënyra se si zëri jehoi në sallë, apo nuk e di—por kjo fjali ishte ngulitur në kujtesën e tyre. (meditim: ndoshta kjo është një mënyrë për të mësuar teorema të reja).

Disa njerëzve, gjërat e vërteta nuk u duken shumë interesante. Për ta diçka është tërheqëse vetëm nëse posedon një nuancë kotësie. Por, siç duket, të dobëta janë këto gracka për nxënësit e mi. Atyre u kishte mbetur në mend e vërteta. Një e vërtetë e vogël dhe anësore.

Më bënë të mendoj. Po sikur unë të kisha një mikrofon dhe një sallë të mbushur me njerëz që më dëgjojnë? Po sikur edhe toni i zërit të ishte i duhuri, edhe qasja ime e balancuar? Po sikur edhe unë të thosha një fjali e cila do të mbetej në mendjen e njerëzve për një kohë të gjatë—cila do të ishte ajo?

“Kthehuni tek Allahu sa nuk është vonë.”

E dije që për fe do të flisja? Po vAllah, për fe. Pse, a po ndihesh i sigurt? Më thuaj, në cilin nga këto ajete nuk e gjen veten?

“Çfarë ju ka sjellë në Sekar?”
Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz…”
(Mudeththir 42–43)

“Pas tyre erdhën brezni që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh.”
(Merjem 59)

“Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).”
(Enbija 1)

“Por, kur shpirti të vijë në grykë
dhe të thërrasin: ‘A ka shërues?’
atëherë ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes,
dhe këmbët do të ngrijnë.
Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt.
Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal,
por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin,
e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar.
Mjerë për ty! Mjerë për ty!
Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty!
Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjësi?”
(Kijame 26–36)

A nuk janë ajetet e Kuranit shpallje nga Allahu? A nuk janë të vërteta për të cilat po paralajmërohemi? O ti që i thua vetes musliman, si e pranon të jesh larg Zotit tënd?! Si e nënçmon veten tënde dhe nuk përkulesh para Krijuesit tënd?! Vërtet më çudit zelli yt për të fituar një rrogë mujore, një diplomë apo një lëvdatë nga njerëzit—e për Allahun nuk paske kohë?!

“Në të vërtetë, kjo është këshillë; prandaj, kush dëshiron, le të zgjedhë rrugën e drejtë që e çon te Zoti i tij.”
(Muzemmil 19)

“Prandaj, nga po ia mbani?”
(Tekvir 26)


Posted

by

Tags: