Matematikë apo më shumë?

…Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju; dhe mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini. [2:216]

Shpeshherë gjendemi në situata apo vende për të cilat as vetë nuk e dimë arsyen pse jemi aty. Para disa ditësh, një shok më tregoi një histori personale se si kishte përjetuar stres posttraumatik. Të them të drejtën, nuk e di pse m’i tregonte mua, por disi e ndieja që ato informata ishin të nevojshme—edhe pse për momentin nuk kam as idenë më të vogël se ku do të më hyjnë në punë. Kështu është shpesh në jetë: bëjmë gjëra thjesht sepse na pëlqejnë, por më vonë ato shndërrohen në asete të çmuara.

Një nga gjërat që ka pasur këtë efekt tek unë është të mësuarit e matematikës, veçanërisht për olimpiadat. E bëja sepse më pëlqente, por më ka ndihmuar në mënyra që atëherë nuk i imagjinoja dot.

Më poshtë po rendis disa nga përfitimet e të qenit garues në olimpiadat e matematikës:

Matematikë dhe arsyetim

Gjëja e parë — dhe më e dukshmja — është se matematikës të ushtron trurin në arsyetim, në ide të qarta dhe në rigorozitet. (Edhe shprehjen “trivial” do ta mësosh shpejt.) Por ki kujdes: jo çdo debat fitohet duke këmbëngulur me logjikë. Mos u bëni kokëfortë!

Të menduarit kritik

Shpesh, zgjidhja e një situate të ndërlikuar në jetë të jep të njëjtën ndjenjë si zgjidhja e një problemi kombinatorik. Duhet të jesh fleksibël, i aftë të analizosh dhe të mendosh thellë. Olimpiadat e stërvitin këtë refleks.

Shprehia e punës

Garat kërkojnë shumë punë dhe mësim të vazhdueshëm. Në fillim, është e vështirë të rrish i fokusuar me orë të tëra. Por me kohë, të lexosh 3 orë rresht bëhet krejt normale.

Durimi

Për të zgjidhur një problem duhet durim. Edhe për të ndjekur një rrugë të gjatë në matematikë, duke synuar suksesin, të duhet durim. Shumë.

Ngritja e ambicieve

Sot shohim të rinj që energjinë e tyre e humbin pas koncerteve të kota e influencerëve pa vlerë. Ndërkohë, drita jote e dhomës mbetet ndezur natën — ti duke investuar në veten tënde, i shoqëruar me librin. Ky është dallimi.

Miqësimi me të tjerët

Pjesëmarrja në gara të jep mundësinë të njohësh njerëz që mendojnë si ti. Mund të krijosh një rreth të shëndoshë kolegësh me të cilët kuptoheni pa shumë fjalë. Po ashtu, olimpiadat janë një mundësi e artë për të njohur njerëz nga vende të ndryshme, për të mësuar kulturat e tyre e për të shkëmbyer përvoja.

Menaxhimi i stresit dhe pritshmërive

Çdo garues mëson ta përballojë stresin dhe ta njohë më mirë veten. Mëson gjithashtu si të sillet me njerëzit që kanë pritshmëri prej tij. Dhe zakonisht, mësimet më të forta i merr pikërisht kur bie nën pritshmëri.

Aftësia për të mësuar degë të reja

Pasi ke ndërtuar bazën matematikore, truri yt funksionon ndryshe. Mësimi i një fushe të re bëhet më i lehtë. Tashmë e di se çfarë kërkon një proces i ri: këmbëngulje dhe durim. Dhe këtë metodë e aplikon lehtësisht madje edhe kur mëson një gjuhë të re.

Bukuria e krijimtarisë së Allahut

Shkenca nuk shpik ligje; vetëm i zbulon ato. Renditja, simetria dhe ekzistimi i ligjeve në univers janë argumente të qarta se ky sistem nuk është pa Krijues.

Përfundim

Nuk e dija se olimpiadat do të më formonin në këtë mënyrë. Fillova nga kurreshtja, por fitova shumë më tepër se sa prisja: disiplinë, durim, miqësi, ambicie dhe një mënyrë të re të të parit të botës.


Posted

by

Tags: