Matematika e llogaritjeve

Shumë njerëz mendojnë që matematika ka të bëjë vetëm me llogaritjet, sa kam përshtypjen se disa mendojnë që në fakultetin e matematikës studentët shumëzojnë numra të mëdhenj gjithë ditën. Pastaj vijnë të tillë që mendojnë se kanë fëmijën gjeni, vetëm sepse mund të zgjidhë ekuacione lineare me dy të panjohura. Oops, mos ta harrojmë edhe kategorinë tjetër: inxhinierët dhe dashurinë e tyre për kulmin e matematikës (sipas tyre) – integralet e dyfishta apo të trefishta. Ose fjalitë e disave: “matematikën ma ka dashtë shumë…”.

Por ti që merresh me matematikë seriozisht, nuk duhet ta marrësh afër zemrës. Duhet t’i mirëkuptosh, pasi nuk i përkasin kësaj fushe. Fundja, edhe ne shpesh bëjmë gabime — qoftë edhe në disa llogaritje të lehta.

Dhe ironia është se, pikërisht aty ku matematika do të duhej të na ndihmonte të reflektojmë, ne dështojmë më shumë.

Si? Ja një shembull i thjeshtë:

Një vit ka 365 ditë. Njeriu mesatar jeton 60 deri në 70 vite. Shumëzo! Allahu na ka bërë obligim 5 namaze në ditë. Nëse nuk falemi, humbim mbi 100 000 takime me Zotin tonë. E megjithatë, kemi kohë për kafe


Në ditë harxhojmë 3–4 orë në gjëra të kota, ndërsa për namaz na duhen vetëm 30 minuta, të shpërndara në 5 kohë.


Stresohemi për një provim në shkollë, por harrojmë “provimin” e pashmangshëm të botës tjetër.


Punëdhënësit ia kërkojmë rrogën pa turp, sepse “kemi punuar”, ndërsa për mosfaljen e namazit arsyetohemi me: “e kemi zemrën e bardhë”. Po Pejgamberi i Allahut, zemër të zezë paska pasur që falej?!


Turpërohemi nga njerëzit kur na shohin në ndonjë vepër të shëmtuar, por harrojmë që Allahu na sheh gjithmonë.


Çohemi herët për fitnes, për të shëtitur qenin, për t’u përgatitur për provime, por namazin e sabahut e lëmë pas dore.


Dimë çdo kuriozitet dhe detaj të jetës private të këngëtarëve e artistëve, por nuk dimë pse jemi krijuar.


Dimë historitë e artistëve, por nuk e dimë jetën e Pejgamberit që jemi të obliguar ta ndjekim.


Planifikojmë pushime, karrierë, pension, por harrojmë se do të vdesim.


Nxitojmë ta paguajmë faturën e internetit, por e harrojmë borxhin ndaj Allahut.


Na thyhet xhami i telefonit dhe nervozohemi, kurse hoqëria shthurret dhe nuk shqetësohemi.


Kemi qenë një pikë uji dhe prapë sillemi sikur mundemi pa Allahun.

Merre veten seriozisht. Vendose Zotin të parin.


Por, kur shpirti të vijë në grykë e të thërrasin “A ka shërues”, 
atëherë, ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes 
dhe këmbët do të ngrijnë.
Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt. 
Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal, 
por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin, 
e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar. 
Mjerë për ty! Mjerë për ty! 
Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty! 
Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri? 
A s’ka qenë një pikë fare që derdhej, 
pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krijoi dhe i dha formë e përmasa të caktuara, 
e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?! 
Vallë, Ai Krijues, a nuk ka fuqi që t’i ngjallë të vdekurit?! 
[Kijameh 26-40]

Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, 
kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.
[Alak 6-7]

Posted

by

Tags: