“Kjo është shumë e lehtë,” tha mësuesi. Ishin fjalët e para që shkëmbyem me njeriun që do të bëhej shkak që jeta ime të merrte kahje tjetër. Nuk e kisha zgjidhur atë problem në OMK, pavarësisht se paskësh qenë “shumë i lehtë”. Por jo gjithmonë ajo që është e lehtë për dikë, është e tillë edhe për dikë tjetër. Të them të drejtën, më bëri përshtypje sa shpejt e zgjidhi. “Kjo në katror plus kjo në katror është sa kjo në katror plus kjo në katror.” Janë disa momente në jetë kur ndihesh budalla – dhe kjo, ndoshta, ishte njëra prej tyre. Më duket sikur në ato momente Pitagora më buzëqeshte me nënkuptim.
E pashë të njëjtin mësues pas disa ditësh. Kisha kaluar OMK-në, por nuk kisha ndonjë motiv të veçantë për t’u përgatitur për TST. Si mund të garoja me nxënës të klasës së 12-të, kur unë isha në të 9-tën?! Më pyeti nëse po përgatitesha për garën, dhe unë i thashë që jo. Më tha që mosha (apo klasa) nuk është arsye për të mos u përgatitur. Fundja, kjo është puna e matematikanëve: të gjejnë gabime në arsyetimet e të tjerëve.
Pastaj më propozoi që të bashkohesha për dy javë në klasën ku mësonin nxënësit e talentuar. Në ato dy javë nuk mund të them që mësova shumë gjëra të reja. E mbaj mend veten duke bërë pyetje që sot më bëjnë të qesh. Pa dyshim, ta kuptosh se je dukur budalla në të kaluarën është më e rëndë se të ndihesh budalla në të tashmen (lexo më lart).
Sidoqoftë, në ato dy javë u motivova shumë. Fillova të interesohem dhe të mësoj më shumë. Kolegët më rekomanduan materiale nga të cilat përfitova jashtëzakonisht shumë. Kah fundi i klasës së 9-të, edhe gjumi filloi të më çrregullohej — gjë që nuk ia dëshiroj askujt. Netët më gjenin duke mbajtur kokën mbi fletët e bardha që shpejt mbusheshin. Minutat kalonin teksa përpiqesha të kuptoja pse diçka (që tani më duket e thjeshtë) vlen. Shkarravitja në fletë pa e kuptuar që, në fakt, i shkarravituri isha vetë unë. Por edhe idetë më të bukura kanë filluar nga disa shkarravitje. Ndoshta nuk e dija atëherë, por ato dy javë ishin fillimi i një rrugëtimi që do të më mësonte shumë më tepër sesa vetëm matematikë.
Prandaj, o lexues, nëse ke një mësues që të nxit, që të kritikon, apo që nuk të le të dorëzohesh — mos e merr si pengesë. Të tillët janë ata që ndezin shkëndijën që ndonjëherë as vetë nuk e di se e ke. Dhe kur ndihesh budalla për diçka që nuk e kupton, mos u mërzit — ndoshta je pikërisht në momentin kur po fillon të kuptosh diçka të madhe. Dhe kur ndihesh i vogël para një problemi, kujto se çdo mendje e madhe ka kaluar aty. Dija fillon aty ku rahatia përfundon — dhe aty ku ndihesh i humbur, Zoti po të mëson durimin.